Ekskluzive: Flamurtari fajësoi Komunën për moslicencim, FFK zbulon se u refuzua për një arsye krejt tjetër

Periskopi.com Sporti

Federata e Futbollit të Kosovës ditën e sotme ka publikuar listën e klubeve që kanë plotësuar kriteret për pjesmarrje në garat evropiane.

Nga dhjetë klubet që kanë aplikuar, nëntë janë licencuar, me Flamurtarin si rastin e vetëm që mbeti jashtë, shkruan Periskopi.

E kryetari i këtij klubi, Imer Ademi reagoi shpejtë duke drejtuar gishtin e fajit nga Komuna e Prishtinës, e cila – sipas tij – nuk e ka kryer pagesën e tatimit në pronë për stadium që nga viti 2004, si dhe për faktin se klubit i është kërkuar ta ketë stadiumin e vetë.

“Arsyeja e moslicencimit është fusha, pasi secilit klub i është kërkuar ta ketë stadiumin e vet. Stadiumi i Flamurtarit nuk është në pronësi të klubit, por të Komunës së Prishtinës. Një problem tjetër është çështja e tatimit në pronë. Që nga viti 2004 nuk është paguar tatim dhe janë bërë 60 mijë euro borxhe. Neve nuk ka ofruar asnjë ndihmë Komuna edhe pse kemi kërkuar. Stadiumi është i tyre dhe duhet bërë zgjidhje. Më herët për një vit ka qenë tatimi 10 mijë euro, kurse tashmë është 1 mijë e 500 euro. Ne nuk kemi muundësi t’i kryejmë këto pagesa. Arsye tjera nuk ka sa i përket moslicencimit”, ka thënë Imeri për ‘Zëri’.

Image

Mirëpo, Periskopi ka kontaktuar zyrtarin e Federatës së Futbollit të Kosovës që merret me çështjen e licencave, Bajram Shala, i cili ka thënë për Redaksinë se arsyeja e moslicencimit nuk ka të bëjë asgjë me ato që ka thënë Imeri.

I pyetur nga Periskopi se cilat kritere nuk arriti t’i plotësojë Flamurtari për licencë, Shala ka thënë:

“Nuk kanë dorëzu dokumentacion për disa prej pikave të kriterit financiar.”

Redaksia pastaj e ka pyetur nëse një prej këtyre kritereve është stadiumi dhe mos pagesa e tatimit në pronë siç ka thënë kryetari i klubit nga Prishtina, duke marrë këtë përgjigje nga Shala:

“Jo, kjo nuk është një prej pikave të kriterit financiar. Atyre u mungoi raporti i auditimit dhe vërtetimi tatimor.”

Domethënë, arsyeja e moslicencimit nuk ka të bëjë asgjë me stadiumin – insiston Redaksia.

“Jo, jo, janë pikat e kriterit financiar,” përgjigjet Shala.

Përndryshe, Flamurtari këtë fushatë po lufton për mbijetesë, derisa renditet në pozitën e tetë me 28 pikë të grumbulluara, pas 22 xhirove. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: