Drama e 6 tetorit: Pesë kandidatët që shokuan me rezultatet e tyre

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit do të mbahen mend për një mori çështjesh të ndryshme. Gara ndër-partiake ishte shumë e fortë, ashtu si edhe gara brenda-partiake mes kandidatëve për deputetë.

Periskopi ka përgatitur një listë prej pesë kandidatësh që thyen pritjet dhe arritën rezultat befasues. Kjo listë bazohet në rezultatet përfundimtare të KQZ-së, pas së cilave subjektet politike dhe kandidatët për deputetë i kanë 24 orë për të ushtruar ankesë.

1.Mimoza Kusari Lila – 22 mijë e 553 vota

Ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Thaçi II ia doli që brenda Lëvizjes Vetëvendosje t’i merrte 22 mijë e 553 vota. Konsiderojmë që ky është rezultat më i papritur se ai i zonjës Albulena Haxhiu apo z.Glauk Konjufca që ishin para saj.

Marrë parasysh që zonja Kusari Lila ishte pjesë e Alternativës brenda listës së LDK-së, pastaj ishte kandidate për kryeministre nga AKR dhe punoi në qeveritë e drejtuara prej PDK-së, Thaçi II e Rexhepi I, ky rezultat befason.

Megjithatë, Kusari Lila kishte marrë 20 mijë e 550 vota sa ishte pjesë e listës së LDK-së.

2.Eliza Hoxha – gruaja më e votuar në PDK

Këngëtarja dhe artistja e njohur Eliza Hoxha, befasoi të gjithë kur u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK]. Por, ajo e rriti befasinë edhe më shumë kur kandidoi për deputete me numrin 3 në listë.

Dhe duket se renditja e mirë nga partia ka ndikuar që ajo të jetë gruaja më e votuar në PDK me 9 mijë e 303 vota.

Sidoqoftë, vlen të përmendim se nga ky subjekt politik 15 deputetët më të votuar janë të gjithë burra, shkruan Periskopi.

3.Jasmina Dediq – më e votuara nga serbët e Kosovës

Jasmina Dediq doli të ishte politikanja më e votuar nga Lista Serbe me 19 mijë e 703 vota. Ajo la prapa vetes të gjithë politikanët e tjerë, disa prej të cilëve mjaft të njohur për publikun kosovar.

Igor Simiq që bartte numrin 1 doli i katërti më i votuar, ndërsa Slavko Simiq doli i dhjeti.

4.Vjosa Osmani – 176,188 vota

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, znj.Vjosa Osmani, ia doli mbanë që t’i fitonte 176 mijë e 188 vota ose vetëm 7 mijë vota më pak se Albin Kurti.

Marrë parasysh votat e partisë, del se zonja Osmani ishte më e fuqishme brenda LDK-së se sa që ishte Albin Kurti brenda VV-së.

Dhe padyshim, kjo nuk është pritur nga zgjedhësit në Kosovë.

5.Marigona Geci – 17 mijë e 740 vota

Marigona Geci – Lala është gruaja e dytë më e votuar në LDK pas Vjosa Osmanit dhe pa dyshim, një ndër gratë më të votuara në Kosovë. Ajo i mori 17 mijë e 740 vota duke u renditur si kandidatja e tetë më e votuar në nivel partie. Ajo njihet në opinion si e bija e z.Gani Geci.

Periskopi nuk ka përdorur në këtë artikull kriterin gjinor, por doli që të gjitha befasitë e mëdha ishin gra. /Periskopi

Shpërndaje në: