Djali i Adem Grabovcit, dasma e të cilit po bën bujë, ishte dënuar për rrahjen e një polici

Periskopi.com Lajme

Ngadhnjim Grabovci, dasma e të cilit po bën bujë në mediat rozë, ishte dënuar në vitin 2015 bashkë me vëllain tjetër, Guxim Grabovcin për rrahjen e një polici në shkurt të vitit 2013, shkruan Periskopi.

Djemtë e ish shefit të grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovcit dhe personashit kryesor të aferës ‘Pronto’, megjithatë ishin dënuar me vetëm nga 3 mijë euro secili.

Dënimin për djemtë e deputetit të PDK-së Adem Grabovci atëkohë e kishte konfirmuar  e për KALLXO.com avokati mbrojtës i Guxim Grabovcit, Hasan Jashari, i cili megjithatë, njoftoi se dënimi ishte konvertuar në para për të shmangur burgimin.

“I mbrojturi im dhe vëllai i tij, janë dënuar me nga gjashtë muaj burg për secilin, mirëpo me kërkesën e mbrojtjes duke u bazuar në dispozitat ligjore ky dënim ju është kthyer në dënim me gjobë në lartësi prej 3 mijë euro për secilin”, tha Jashari.

Kjo do të thotë se për krimin e kryer, dënimi efektiv për secilin prej të dënuarve është 3 mijë euro.

Seanca fillestare në këtë rast ishte mbajtur me datë 5 dhjetor të vitit të kaluar, por u shty se mungonte Guxim Grabovci.

Si kishte ndodhur rrahja?

Dy djemtë e shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Adem Grabovcit, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovci e kanë rrahur deri në alivanosje një polic të Kosovës në mesnatën e 14 shkurtit, pasi i kishte ndalur ata për tejkalimin e shpejtësisë në magjistralën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Polici nga Vushtrria Avni Selaci gjendet në pushim mjekësor, duke vuajtur pasojat që ia shkaktuan dy djemtë e “shefit të shefave”.

Ai ka pësuar lëndime në fytyrë nga goditjet e rënda që ka marrë nga vëllezërit Grabovci.

Polici Selaci bashkë me një kolegë të tijin kishin qenë duke patrulluar në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, ndërkohë që kishte tejkaluar një veturë e tipit BMW me shpejtësi të madhe, raportonte gazeta “Zëri”.

Policët iu kishin vënë në “ndjekje” të tyre duke e ndalur kështu veturën në hyrje të Fushë Kosovës. Shoferi i veturës, që më vonë ishte kuptuar se është djali i Adem Grabovcit, nuk e kishte me vete librezën e veturës. Vozitësi e kishte bërë një telefonatë me qëllim që t’i sillej libreza. Nuk kishte vonuar shumë dhe në vendin e ndalimit kishte ardhur edhe vetura e dytë, një xhip.

Veturën e dytë kishte qenë duke e vozitur djali tjetër i Adem Grabovcit, ndërsa kishte qenë i shoqëruar me një djalë dhe një vajzë. Polici kishte qenë duke pritur që t’i tregohej libreza e sjellë dhe djali, që kishte qenë nën shoqërinë e djalit të Grabovcit, tenton të afrohet tek makina. Polici Selaci ia kishte tërhequr vërejtjen që të mos afrohej dhe pa pritë, djali i Grabovcit që po voziste veturën xhip, i kishte rënë policit grusht në fytyrë.

Për të zmbrapsur sulmin, polici i goditur kishte përdorur edhe sprejin, ndërsa kishin ardhur edhe përforcime të tjera nga policia. Policët e posaardhur e kanë dërguar kolegun e goditur për t’ia dhënë ndihmën e parë, ndërsa dy djemtë e Grabovcit dhe dy dëshmitarët okularë ishin shoqëruar për në stacion policor.

Polici ka tregua për gazetën “Zëri” se ishte goditur nga vozitësi i veturës xhip, që kishte ardhur për t’ia sjellë librezën e veturës shoferit të ndaluar.

Më ka goditur ai që ka ardh për t’ia sjellë librezën. Nuk e di nëse ka pasur diçka në dorë, më ka sulmuar në fytyrë”, thotë polici Selaci nga stacioni policor në Fushë Kosovë

Shpërndaje në: