Detaje të reja për rastin e të riut nga Gjilani që vdiq në Qendrën e Studentëve

Periskopi.com Lajme

26-vjeçari nga Livoqi i Epërm i Gjilanit që vdiq pasi u hodh nga kati i pestë nga konvikti në Prishtinë, ishte kthyer nga Gjermnia dhe kishte probleme shëndetësore. Periskopi merr vesh se i riu vuante nga depresioni. Burimet i kanë thënë Periskopit se i ndjeri kishte bërë kërkesë në Ambasadën e Kosovës në Gjermani që të kthehej në vend e me t’u kthyer këtu, ua kishte ofruar dokumentacionin autoriteteve në Prishtinë, që vërtetonin problemet shëndetësore, por u shpërfill…

Rreth orës 17:45 të ditës së sotme (e diel) një 26-vjeçar nga Gjilani ka vdekur pasi ka rënë nga kati i pestë i konvitit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjenti në QKUK, Gëzim Mustafa.

Mustafa tha se 26-vjeçari ka shkuar në QKUK me lëndime të rënda kryesisht në bazën e kokës.

“Rreth orës 17:45 e kemi konfirmuar vdekjen. Ka ardhur me shenja të rënda në bazën e kokës. Ka pasur gjakderdhje nga veshët, hunda dhe goja dhe fraktura të mëdha. Pra lëndimet kanë qenë vdekjeprurëse”, ka thënë Mustafa e më pas, vdekjen e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Ndërkohë, një dëshmitar u ka thënë mediave se ai kishte kërkuar të mos qëndronte në Qendrën e Studentëve që po shfrytëzohet si Karantinë, për shkak të problemeve shëndetësore.

Burimet i  kanë thënë Periskopit, se i ndjeri kishte bërë kërkesë në Ambasadën e Kosovës në Gjermani që të kthehej në Kosovë dhe me t’u kthyer këtu, ua kishte treguar autoriteteve të gjitha dokumentet që vërtetonin gjendjen e tij shëndetësore, përkatësisht që vuante nga depresioni, por u shpërfill nga autoritetet këtu.

Për rastin, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

“Në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së”, është thënë në njoftimin e Ministrisë.

Për këtë rast, kanë reaguar partitë politike në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria në detyrë.

Presidenti i Kosovës, poashtu ka reaguar duke thënë se ‘kjo vdekje nuk guxon të mbetet enigmatike’.

Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë është kritikuar ashpër, duke qenë se në publik rrodhën dokumente që tregonin se si ministri në detyrë, Vitia, kishte liruar disa persona nga Karantina në Prishtinë, nën arsyetimin se ‘kishin problem shëndetësore’. /Periskopi/

Shpërndaje në: