Dëshmitari tregon si u krijua xhamia që rekrutonte prishtinasit për në ISIS (Video)

Selimi dëshmoi në Gjykatën Themelore në Ferizaj në cilësinë e drejtorit të N.Sh. “Auto Prishtina” në gjykimin ndaj Fatos Rizvanollit, i akuzuar për rekrutim për terrorizëm.

Ai tregoi se si ia kishte dhënë me qira një lokal Fatos Rizvanollit për shpërndarjen e ndihmave e që më vonë ai lokal u kthye në një faltore për besimtarët.

Lokali për të cilin ka folur sot Selimi ka qenë shënjestër e policisë në operacionin masiv të arrestimeve të të dyshuarve për terrorizëm në gusht të vitit 2014.

Që nga ajo kohë, kjo “xhami” nuk është më funksion.

Dëshmitari Selimi, tregoi se me Fatosin ishte njohur fillimisht rreth vitit 2004 ose 2005 kur i kishte kërkuar një lokal me qira në objektet e kësaj ndërmarrjeje.

Më pas sipas dëshmitari tha se Rizvanolli kishte kërkuar edhe një lokal tjetër me qira.

“Ka kërkuar për një lokal ku ka qenë i zbraztë dhe në atë lokal është kërkuar për me i shpërnda disa ndihma për Ramazan, se ka qenë muaj i Ramazanit, dhe ka fillu qaty grumbullimi i disa që ju thonë ‘të fala’ dhe Fatosi ka ardhur me një njeri ka kërkuar atë lokal për të i shpërndarë ato ndihma”, tha Selimi.

Dëshmitari tregoi se kur kishte kuptuar se ajo hapësirë po shfrytëzohej edhe për falje u kishte kërkuar që të largoheshin nga aty ndërsa për të bërë këtë tha se u kishte kërkuar rritjen e çmimit të qirasë nga 400 euro në 800 euro.

Dëshmitari Selimi tha se përkundër rritjes së kërkesës disa persona të quajtur si “Këshilli i Xhamisë në Ulpianë”, ishin pajtuar të paguanin edhe 800 euro në muaj.

“Unë me të thanë të drejtën nuk e di kush i ka dhanë mjetet por kur kam folë me këshillin e xhamisë që nuk na i kanë dhënë leket dhe s’kanë paguar më kanë thënë se duhet të mblidhen në xhuma sepse u bënë mbi 1000 veta dhe pastaj e qitën një pllakë që u bë xhami dhe kur kam shkuar në polici që me i hjekë këta, unë u kam thënë me i pagu 800 euro vetëm me i largu këta por më kanë thënë se 800 t’i paguajmë vetëm me na lanë”, tha Selimi.

Dëshmitari tha se kur kishte negociuar me këshillin e xhamisë nuk e dinte a kishte qenë Fatos Rizvanolli pasi që këtë e kishte bërë këshilli i punëtorëve të ndërmarrjes.

I pyetur nga avokati i Rizvanollit, Besnik Berisha, se a qëndron prapa deklaratës së tij të dhënë në polici apo asaj të dhënë sot nëse ka ndonjë dallim, dëshmitari tha se qëndron prapa asaj sot, ndërsa në një vend tha se nuk e kuptonte se si ka mundur deklarata e tij të shënohet në atë mënyrë.

“Unë jam ka çuditna se çka ka shkru aty se as nuk e kam njohur imamin e as atë (Fatosin)”, tha Selimi.

Fatos Rizvanolli, akuzohet nga prokuroria se së bashku me Zeqirja Qazimin, Ilir Berishën dhe Sadat Topojanin kanë qenë të përfshirë në rekrutim për terrorizëm. Rizvanolli është deklaruar i pafajshëm në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij.

Sipas prokurorisë të paktën tri bileta të personave që kanë shkuar në Siri janë paguar nga Rizvanolli. /KALLXO.com/

 

Shpërndaje në:
Të Ngjashme
Widget post How to clear the air in the most polluted cities on Earth
27 Feb 03:20 Persikopi
OPINION