Çeku: Kisha në kampusin e UP-së të ruhet si dëshmi e dhunës politike të Serbisë

Periskopi.com Lajme

Aktivisti i organizatës “EC ma Ndryshe”, Hajrulla Çeku, në një shkrim autorial për gazetën “Zëri”, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit rreth kishës ortodokse që ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Ai ka thënë se kisha duhet të mbetet ashtu siç është. Sipas tij,  ky objekt paraqet dëshminë fizike të një periudhe të vështirë të shoqërisë sonë.

“Ndërtimi i kishës ishte projekt i përbashkët i shtetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe që synonte të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës. Nuk ka asnjë dilemë që kjo kishë nuk ka asnjë element fetar e shpirtëror dhe kryekëput është intervenim politik, pjesë e një ndërmarrjeje më të madhe të dhunës së shtetit serb ndaj shoqërisë kosovare”.

Çeku ka thënë se për këto arsye, duhet të mbahet mend kjo kishë dhe ta përcillet tutje me gjithë narracionin politik rreth saj.

“Ky objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të vështira të shoqërisë sonë. Dhe është obligim yni që narracionin që fshihet brenda mureve të kësaj kishe t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Prandaj edhe objektin duhet ta lëmë ashtu si është, të përfunduar, të ndërprerë. Njëjtë si projekti i dhunës politike i Serbisë për spastrim etnik që ka mbetur i papërfunduar, i ndërprerë. Përveç simbolikës, për t’i dhënë asaj hapësire edhe një funksion komunitar, kopshti përreth këtij objekti mund të rregullohet dhe të shndërrohet në një hapësirë mikpritëse për qytetarët. Gjithashtu, kisha mund të nominohet edhe për Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe t’i ofrohet mbrojtje ligjore. Ta ruajmë atë si shoqëri dhe si shtet si një sajt të kujtesës (memory site), ashtu si ruhen sajtet e Holokaustit apo copëza të Murit të Berlinit, apo të ngjashme”, ka shkruar ai.

Sipas tij, rreziku më i madh i harresës kolektive është mundësia për të mos nxjerr mësime nga e kaluara shkatërruese, që shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. /Periskopi

Shpërndaje në: