Bashkimi Evropian me mesazh përkujtimor për 22-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Periskopi.com Showbiz

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë sot se në gjenocidin në Srebrenicë, 22 vite më parë, janë shkelur në mënyrë të rëndë vlerat si dinjiteti njerëzor, liria, demokracia dhe barazia.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dhe komisionari i BE-së për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, me rastin e 22-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët.

“Në vitin e 22-të të gjenocidit në Srebrenicës zemra jonë dhe mendimet tona janë me viktimat e gjenocidit dhe me familjarët e miqtë e tyre. Sot përkujtojmë me nder viktimat”, thanë ata.

Pasi Srebrenica u pushtua nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiqit, më 11 korrik 1995, civilët boshnjakë, të cilët u strehuan tek ushtarët holandezë, iu dorëzuan serbëve.

Serbët, të cilët lejuan mbërritjen e grave dhe të fëmijëve në rajonin e kontrolluar nga ushtarë boshnjakë, masakruan më shumë se 8 000 boshnjakë në zonën e pyllëzuar, nëpër fabrika dhe depo të cilët në atë periudhë u varrosën në varre masive.

Në vitin 2007, kjo ngjarje u pranua si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Mbetjet mortore, të gjetura në varret masive, në punimet e nisura për të gjetur të zhdukurit pas luftës, pas përcaktimit të identitetit, varrosen çdo vit më 11 korrik me një ceremoni të zhvilluar në varrezat memoriale në Potoçari.

Shpërndaje në: