Asnjë pagesë nga Holanda për shqiptarët që u refuzohet azili

Periskopi.com Lajme

Shqiptarët, që nuk e fitojnë të drejtën e azilit në Holandë, nuk do të paguhen më me nga 200 euro për të rritur dhe 40 euro për fëmijë, kur të largohen prej andej.

Ministri i Çështjeve të Sigurisë, Klaas Dijkhoff i tha gazetës vendase “Volkskrant” se, heqja e kësaj pagese do të hyjë në fuqi menjëherë.

“Shqipëria është një vend i sigurtë, – sqaroi ai. – Ndaj duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka kuptim që shqiptarët të kërkojnë azil këtu te ne”.

Sipas ministrit, me qindra shtetas shqiptarë, qytetarë serbë dhe persona nga pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar azil në Holandë, duke e ditur se do të refuzoheshin, edhe pse për këtë vendim mund t’i duhet të presin me muaj të tërë.

Dijkhoff, të cilin gazeta e përshkruan si njeri tepër gjakftohtë, kur vjen fjala tek emigrantët thotë se, pagesa e largimit i ka inkurajuar njerëzit të kthehen vullnetarisht, por tani dëshiron ta ndalojë edhe atë.

“Nuk duhet të lejojmë që të përfitohet nga një sistem i ngritur posaçërisht për refugjatët”, shprehet ministri. Personave që u refuzohet kërkesa e azilit, u ndalohet hyrja në BE për dy vite. / Top Channel/

Shpërndaje në: