Asamblisti i PDK-së, pa kualifikim jep matematikë në shkollën ‘Migjeni’

Periskopi.com Lajme

Islam Mjekiqi që nga fillimi i vitit të ri shkollor, është angazhuar si arsimtar i lëndës së matematikës, madje pa kualifikimin e duhur. Por komuna e Obiliqit tek të mërkurën ka shpallur konkurs për të njëjtën pozitë.

Në shkollën fillore “Migjeni”, paralele në fshatin Shipitull, Sadik Mjeku, që ligjëron këtë lëndë, ka kërkuar që të marrë pushim pa pagesë për arsye shëndetësore.

Në vend të tij mësimin po e mban Islam Mjekiqi, që është asamblist i PDK-së, parti së cilës i takon edhe Agim Spahiu, drejtor i Arsimit në komunën e Obiliqit.

Asllan Bllaca, që për një vit kishte ligjëruar të njëjtën lëndë në të njëjtën shkollë e që kishte kontratë njëvjeçare, pranon se nuk ka ende diplomë, pasi është në fund të studimeve, por sipas tij, është shumë më i kualifikuar se Mjekiqi dhe vetëm pse nuk është pjesë e politikës, nuk e kanë angazhuar më në të njëjtin vend.

Ai nuk mendon të konkurrojë më, pasi siç thotë tashmë veç është përcaktuar se kush do ta ligjërojë këtë lëndë.

Agim Spahiu, drejtor i Arsimit në këtë komunë, nuk ka dashur të japë prononcim, por atë e ka bërë zyrtari arsimor, Rexhep Zeka.

Ai pranon se Mjekiqi nuk ka kualifikim, por sipas tij, po presin mos do të gjendet dikush më i kualifikuar.

Ndërsa se a është përzier politika në këtë punë, Zeka thotë se as që bëhet fjalë.

E Islam Mjekiqi, gjatë gjithë ditës, ka qenë i paqasshëm për media.

Pakënaqësi të tilla ka pasur edhe më herët nga kandidatë të ndryshëm për pozita të mësimdhënies ndaj drejtorit të Arsimit, Agim Spahiu.

Madje, para dy vjetësh, dy persona e patën rrahur në zyrë atë, pasi kanë pasur ankesa se konkurset e shpallura atëherë janë shoqëruar me parregullsi.

 

Shpërndaje në: