Arrestohen dy gra për kultivim kanabisi

Periskopi.com Lajme

Dy gra kanë rënë në prangat e Policisë së Gjirokastrës një ditë më parë. Njëra prej tyre nga Lazarati, pasi kishte mbjellë 40 rrënjë bimë kanabis sativa në oborrin e shtëpisë në fshatin Lazarat.

Burimet zyrtare, kanë bërë të ditur se në pranga ka rënë M. Hasanaj, 26 vjeçe nga fshati Fratar i Mallakastrës. Ndalimi i saj u ndërmor pasi ekzistonte një urdhër ndalimi të lëshuar nga organi i akuzës së Gjirokastrës qysh më 18 Korrik të këtij viti.

Gruaja 26 vjeçe nënë e një fëmije, akuzohet për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Ndërkaq disa orë më vonë, policët e Gjirokastrës, janë gjendur në banesën e D. Nurit 57 vjeçe në fshatin Lazarat. Sipas policisë, banorja e Lazaratit, kishte patur guximin të mbillte një sasi të paktë rrënjësh kanabisi në oborrin e banesës ku jeton.

Nga numërimi i bimëve rezultoi se ajo kishte mbjellë 40 rrënjë kanabisi. Menjëherë gruas 57 vjeçare i janë vënë prangat, duke shënuar rastin e tretë në Lazarat brenda tre muajve, që banorë të fshatit kapen me kanabis të mbjellë në oborret e shtëpive ku jetojnë.

Nga tre arrestime që ka kryer Policia Rajonale në Lazarat për kultivim të bimëve narkotike, dy janë gra kryesisht mbi 50 vjeçe.

Nga 300 mijë rrënjë kanabis që Policia e Gjirokastrës, ka asgjësuar në katër muajt e fundit në të gjithë territoret e njohura të kultivuara me bimë narkotike, janë arrestuar gjithsej 6 persona, prej të cilëve 3 nga Lazarati ku në total këta të fundit, janë gjetur duke kultivuar 130 rrënjë kanabis.

Shpërndaje në: