Analist Gashi: Dasmat janë krim i organizuar, Labi po imiton Albin Kurtin

Periskopi.com Lajme

Analisti i mirënjohur kosovar, Krenar Gashi, ka bërë një qortim të ashpër të protestës së djeshme të këngëtarëve të dasmave që u organizua nga Labinot Tahiri e Afrim Muçiqi ndër të tjerë. 

Ai ka deklaruar se “industria e dasmave nuk është hiç ndryshe nga krimi i organizuar”, duke dhënë edhe arsyet për një gjë të tillë.

“Industria e dasmave është një industri ku grupe të individëve në sektore të ndryshme (muzikë, transport, gastronomi etj.) veprojnë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë, për të ndërmarrë aktivitete të palicencuara, me qëllim të përfitim të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, të pakontrolluar dhe të patatueshme.” – ka shkruar z.Gashi në një deklaratë mjaft të fuqishme.

Edhe më herët këngëtarët e dasmave janë kritikuar për ikjen nga tatimi, por askush deri tash nuk i ka quajtur “krim i organizuar”, përcjell Periskopi.

Krenar Gashi ka cituar edhe “Kodin Penal të Republikës së Kosovës” për të mbështetur pretendimin e tij ndërkohë që ka thënë se këngëtari Labinot Tahiri po imiton Albin Kurtin dhe Donald Trumpin në protestat e tij.

Deri tash, Prokuroria e vendit nuk ka ndërmarrë veprime konkrete kundër këngëtarëve dhe industrisë së çuditshme të dasmave në Kosovë që mendohet të jetë qindra-milionëshe në vit.

Statusi i plotë: 

Industria e dasmave nuk është hiç ndryshe nga krimi i organizuar — është një industri e gjerë, ku grupe të individëve në sektore të ndryshme (muzikë, transport, gastronomi, etj.) veprojnë në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë, për të ndërmarrë aktivitete të palicencuara, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, të pakontrolluar dhe të patatueshme. Mos të flas për aludimet për shpërlarje parash.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës e përkufizon krimin e organizuar si:

“bashkim i strukturuar, që ekziston për një kohë të caktuar, i tre apo më shumë personave për kryerjen e veprave të caktuara penale, që vepron në bashkëpunim me qëllim të kryerjes së një apo më shumë veprave të rënda penale për përfitim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore”

Unë s’jam jurist, por nuk po shoh që kërkohet me pasë brina…

Po nejse, mirë kish qenë edhe një protestë e Labit, se në vogëlsinë e tij, po e imiton Albinin (edhe pak Trumpin).

P.S. Reflektim personal, aman mos m’citoni!

Shpërndaje në: