Connect with us

Kulturë

Alain Badiou: Shpresa

Duhet pra të kuptojmë se ç’marrëdhënie ushqen shpresa me fuqinë. A e forcon fuqinë e së jashtmes në funksion të çka shpresohet? A ekziston një ngjarje në ardhje për të na shpërblyer deklarimin e lodhshëm dhe të përvuajtur të ngjarjes që na themelon? Shpresa bëhet atëherë lidhje ngjajtësore, e përdor subjektin në distancën mes dy ngjarjeve, mbështet besimin në ngjarjen e parë mbi shpresën e një ngjarjeje të dytë.

Published

on

Siç e pamë, Pali vendos se “mbetet feja (πίστις), shpresa (έλπίς) e dashuria (mëshira, αγαπη)” (Kor I.13.13). E kemi sqaruar relacionin subjektiv mes besimit dhe dashurisë. Por ç’ndodh me shpresën?

Tek Pali dhe ithtarët e tij shpresa lidhet me drejtësinë. Besimi autorizon të shpresohet te drejtësia. Kështu që te Rom. 10.10 thuhet se: “Për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër.”

Por për çfarë drejtësie flitet? A mos do Pali të na thotë se shpresa te drejtësia është shpresë te ndonjë gjykim, te Gjykimi i fundit? Kjo do të ishte shpresa te ndonjë ngjarje e ardhshme që do të veçonte të ndëshkuarit dhe të shpëtuarit. E meqë do të bëhet drejtësi, shpresa i besohet këtij gjyqi të fundit të së vërtetës.

Siç duket, Pali, kundër kësaj eskatologjie gjyqtare klasike, e karakterizon shpresën si urdhëresë të thjeshtë për vazhdimësi, princip qëndrimi dhe këmbënguljeje. Te Sel. I, besimi krahasohet me çka bën vepër (εργον), ndërsa dashuria me punën e lodhshme, me punën e vështirë dhe të përvuajtur. Për sa i takon shpresës, ajo na shpie te durimi, te qëndrueshmëria, te pritja; shpresa është subjektiviteti i vazhdimësisë së procesit subjektiv.

Besimi do të ishte hapja te e vërteta, dashuria do të ishte efektiviteti universalizues i rrugëtimit së saj dhe, më në fund, shpresa do të ishte maksima e qëndrueshmërisë nëpër këtë rrugëtim.

Si artikulohet ideja e gjykimit, e drejtësisë së dhënë më në fund, me atë të qëndrueshmërisë, të urdhëresës: “Duhet vazhduar”? Po të priremi drejt gjykimit, shpresën do e vendosim te ndonjë çmim. Po të priremi për nga qëndrueshmëria, përftojmë një figurë krejtësisht të çinteresuar, edhe po të mendonim se ajo nuk punon për të vërtetën. Historia e këtyre dy prirjeve është shumë e gjatë dhe jehonat e tyre politike ndjehen ende. Mbetet gjithnjë e njëjta çështje, si të merret vesh se kujt mund t’i lidhet energjia milituese e subjektit të çfarëdoshëm.

Po të nxitojmë për te shpërblimi i fundit, subjekti do të radhitej menjëherë me objektin. Nëse shpresa merret më shumë si parim i qëndrueshmërisë, qëndrojmë brenda subjektit të kulluar. Krishterimi rrugëtoi nëpër këtë trysni, duke i dhënë sido që të jetë pothuaj gjithnjë përparësi shpërblimit, më popullor sipas përshtypjes së Kishës, krejt si sindikalizmi i zakonshëm që sorollatet nëpër të drejtat e njerëzve, sepse vetëm kështu mund t’i zhysë në mosbesim hovet e tyre “irealistë”.

Duhet pra të kuptojmë se ç’marrëdhënie ushqen shpresa me fuqinë. A e forcon fuqinë e së jashtmes në funksion të çka shpresohet? A ekziston një ngjarje në ardhje për të na shpërblyer deklarimin e lodhshëm dhe të përvuajtur të ngjarjes që na themelon? Shpresa bëhet atëherë lidhje ngjajtësore, e përdor subjektin në distancën mes dy ngjarjeve, mbështet besimin në ngjarjen e parë mbi shpresën e një ngjarjeje të dytë.

Doktrina objektivuese klasike qëndron në faktin se në Gjykimin e fundit besimtarët do të fitonin ligjshmëri në sajë të ndëshkimit të atyre që nuk besuan. Drejtësia do të kthehej në ndarje, siç shihet dhe në tablotë e mëdha, të Tintoretos dhe Mikelanxhelos, që kënaqen vizualisht me kontrastin mes ngjitjes plot shkëlqim për militantët e shpërblyer dhe rrokullisjes së mynxyrshme për të ligjtë e sikterisur.

Ferri ka pasur gjithnjë e më tepër sukses artistik dhe publik sesa parajsa, sepse ajo që kërkon subjekti në vegimin e shpresës është ideja se i ligu do të ndëshkohet. Legjitimiteti i besimit dhe dashurisë përmes shpresës është pra mirëfilli mohues. Shpresa përshkohet tejendanë prej urrejtjes për të tjerët, prej mërisë. Shpresa, e konceptuar e këtillë, vështirë të përputhet me pajtimin që mendohet brenda këtij universali të mendimit dhe fuqisë që Pali e quan dashuri.

Ndaj, nuk gjejmë tek Pali ndonjë konceptim juridik dhe objektiv të shpresës. Kuptohet, meqë kemi të bëjmë me një njeri të dhunshëm dhe inatçor (u dashka që udha e vdekjes të vazhdojë ta ndajë subjektin), ndoherë lë të kuptohet se të ligjtë, domethënë së pari armiqtë e tij politikë përsa i përket ndërtimit të bërthamës krishtere, në fund nuk do të përftojnë ndonjë trajtim të mirë. Ndoherë ia lejon vetes, si çifut i fillesave të Perandorisë, të imagjinojë se kohën e kemi të numëruar dhe se fundi i botës do të vijë së shpejti: “E dini kohën në të cilën jetojmë: tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e keni më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur dhe dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës dhe të ngjeshemi me armët e dritës” (Rom. 13.11). Por, megjithatë, liri të tilla për atmosferën apokaliptike janë shumë të rralla te Pali. Kështu që do të jenë shumë më të rralla edhe reflektimet paliane të shpresës nisur nga kënaqësia që sjell ndëshkimi i të pafeve.

Sepse universalizmi është pasioni i Palit, ndaj jo për rastësi u quajt dhe “apostulli i kombeve”. Bindja e tij më e kthjellët është se figura ngjajtësore e ringjalljes e tejkalon mbarë e prapë sitin real dhe kontingjent të komunitetit të dhënë të besimtarëve të kohës së tij. Por puna e dashurisë është gjithnjë para nesh, Perandoria është e pamatë. Një njeri apo një popull që lënë përshtypjen e të qenit të pafé dhe injorantë, si fillim duhen parë si njerëzit ku militanti do të sjellë risinë. Universalizmi i Palit e përjashton idenë se përmbajtja e shpresës mund t’i japë përparësi besnikëve të atypëratyshëm. Nuk ka vlerë ta kthesh drejtësinë shpërndarëse në referent të shpresës.

Përfundimisht, në pikëpamjen e Palit, shpresa nuk është shpresë e ndonjë fitoreje objektive. Përkundrazi, fitorja subjektive e prodhon shpresën. Le të përpiqemi të kuptojmë këtë tekst të vështirë por me një bartje të madhe për cilindo që është militanti i ndonjë të vërtete:

[…] dhe në të cilin mburremi sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk tradhton (Rom. 5.2)

Përmasa subjektive që ka emrin “shpresë” është sprova e kapërcyer dhe jo ajo në emër të së cilës e kapërcyem. Shpresa është “besnikëria e sprovuar”, qëndresa e dashurisë nëpër sprovë, por aspak vegimi i shpërblimit apo ndëshkimit. Shpresa është subjektiviteti i një besnikërie ngadhënjimtare, besnikëri ndaj besnikërisë, dhe jo përfytyrim i ndonjë rezultati që pritet.

Shpresa dëfton realitetin e besnikërisë në sprovën e ushtrimit të saj, këtu e tani. Kështu mund të kuptohet dhe shprehja enigmatike “shpresa nuk tradhton”. Mund ta përqasim me shprehjen e Lacanit, shprehje në të cilën “ankthi është ai që nuk tradhton”, pikërisht për shkak të mbartjes së realitetit, të teprisë së realitetit prej të cilit shkaktohet. Mund të themi pra se shpresa nuk është imagjinari i një drejtësie ideale që vihet më në fund në vend, por ajo shoqëron maturinë për të vërtetën ose universalitetin praktik të dashurisë, gjatë sprovës së realitetit.

Nëse Pali nuk mund ta rregullojë shpresën mbi imagjinarin e shpërndarjes së vlerësimeve, përveç faktit që i kundërvihet në mënyrë të përgjithshme idesë së “pagesës” së besimit, kjo ndodh sepse ringjallja nuk ka kuptim tjetër nga ai i karakterit universal të punimit të vet. Asgjë nuk lejon të fiksohen ndarjet ose shpërndarjet qëkurse ndërhyn kontingjenca e hirit: “… gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve” (Rom. 5.18). Shprehja “të gjithë njerëzve” po na kthehet pareshtur, “sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën” (Kor. I, 15.22). S’ka pra vend për hakmarrje dhe mëri. Ferri dhe përcëllimi i armikut nuk i interesojnë Palit.

Sigurisht, një armik është i identifikueshëm, emri i tij është vdekja. Por ky është emër gjenerik, pra i zbatueshëm mbi një udhë të mendimit. Për këtë tip armiku Pali flet në kohën e ardhme shumë rrallë: “Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja” (Kor. I.15.26). Drejtësia që përmbahet te shpresa pa dyshim është vdekja e vdekjes. Dhe flitet për rrënimin, e ndërmarrë që tani, të figurës subjektive të vdekjes. Rrënimi është i bashkëpranishëm me adresën universale të dashurisë dhe nuk ligjëron asnjë ndarje gjykimore mes të shpëtuarish dhe të ndëshkuarish. Si besë tek besnikëria e militantit, shpresa më shumë se gjithçka pohon se çdo fitore është në të vërtetë fitore e të gjithëve. Shpresa është modalitet subjektiv i fitores së universalit: “Atëherë mbarë Izraeli do të shëlbohet sikur thotë shkrimi i shenjtë” (Rom. 11.26).

Posi dashuria që është fuqia e përgjithshme, drejtuar të gjithëve, e dashurisë për vete si ndërtim i mendimit të gjallë, edhe shpresa thur subjektivitetin e shpëtimit, të bashkimit të mendimit dhe fuqisë si universalitet i pranishëm në çdo sprovë, në çdo fitore. Çdo fitore, sado lokale të jetë, është universale.

Për Palin mbetet e një rëndësie të lartë të deklarosh se je i justifikuar vetëm aq sa janë dhe gjithë të tjerët. Sigurisht që shpresa është e lidhur me mua. Por kjo do të thotë se identifikohem, në singularitetin tim, si subjekt i ekonomisë së shpëtimit vetëm për aq sa kjo ekonomi është universale.

Shpresa dëfton se nëse mund të qëndrosh në dashuri, një gjë të tillë e bën vetëm sepse kjo dashuri ndërton universalitetin konkret të së vërtetës, dhe se ky universalitet të përfshin duke u kthyer drejt teje. Ky është kuptimi i fortë i shprehjes: “Por po të më mungonte dashuria, nuk do të isha asgjë!” (Kor. I.13.2). Pra për Palin universaliteti është ndërmjetësi i identitetit. Shprehja “për të gjithë” bën që të numërohem për një. Aty gjejmë dhe një parim madhor palian: Njëshi është i kapshëm vetëm në “për të gjithë”. Çka përshenjon dhe eksperimenton se po merr pjesë në shpëtim – qëkurse u bëre punonjësi i duruar i universalitetit të së vërtetës – quhet shpresë. Nga kjo pikëpamje shpresa nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen. Ajo është figurë e subjektit të tashëm drejt të cilit është kthyer dhe universaliteti për të cilin subjekti punon.

Teorema 8: Përsa i përket urdhëresës së vazhdimësisë së vet, subjekti mbështetet prej idesë se me-pasë-vend i së vërtetës që e themelon është universale, pra i përket efektivisht. Nëse ka singularitet, ka aq sa ka dhe universal. Ndryshe, jashtë së vërtetës, ka veç partikularitet.

Përzgjodhi: Arrita MUSTAFA

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kulturë

Mediat e huaja shkruajnë për filmin “Zgjoi”: Është një perlë

Published

on

Suksesi i filmit ka marrë vëmendjen e mediave të huaja.

Festivali i Filmit “Sundance” është vetëm disa javë larg nga fillimi me 28 janar, dhe këtë vit po vjen me një edicion virtual të këtij lloji.

Një nga filmat me të kërkuar në seksionin e Kinemasë Botërore të konkursit Dramatik është “Zgjoi”, filmi debutues nga Blerta Basholli, shkruan Level K.

Frymëzuar nga një histori e vërtetë, “Zgjoi” është një vështrim fuqizues i një gruaje që ka probleme, por mbijeton pas zhdukjes së burrit të saj. Portreti feminist, i cili aktualisht po kërkon shpërndarjen, shfaq premierën në festival në 31 janar.

Në një fshat në Kosovë, familjet përpiqen të sigurojnë jetesën ndërsa presin me padurim lajmet për burrat, baballarët dhe djemtë që u rrënuan nga lufta. Kur bletët e Fahrije ndalojnë prodhimin e mjaltit, ajo merr licencën e saj të shoferit dhe sipërmarrjet në qytet për të shitur ajvar shtëpiak në një dyqan ushqimesh lokale.

Zgjuarsia dhe ambicia e Fahrijes sfidojnë banorët e qytetit konservator, të cilët janë të palëkundur në rolet tradicionale dhe pritjet patriarkale. Ajo shpërfill fyerjet, thashethemet, madje edhe sulmet fizike për të fuqizuar një komunitet të grave për të qenë të pavarur dhe të pavarur në mënyrë që të mbijetojnë së bashku.

E ankoruar nga shfaqja e nënshtruar e ende e fortë e emocionuese e Yllka Gashit, debutimi magjepsës i shkrimtares / regjisores Blerta Basholli është stresuar me ndershmëri dhe vërtetësi.

Kamera e saj natyraliste përqendrohet në ndërmarrjen e aksioneve të larta që Fahrije merr përsipër ndërsa vajton zhdukjen e burrit të saj, duke lundruar në një botë të re dhe duke befasuar veten dhe ata përreth saj. Bazuar në një histori të vërtetë, “Zgjoi” është një perlë e qetë, ngritëse që nxjerr në pah forcën në personazhet e saj pasi nuk provon se asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision.

Në kast përfshihen gjithashtu Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi dhe Kaona Sylejmani, Valire Zeneli. Prodhuesit janë Yll Uka, Valon Bajgora dhe Agon Uka.

Continue Reading

Kulturë

Yllka Gashi e lumtur për suksesin e filmit “Zgjoi”, thotë se për të punuan gati një dekadë

Published

on

Aktorja kosovare Yllka Gashi, ka thënë se tre çmimet e fituara të filmit “Zgjoi” në festivalin më të madh të filmit në Amerikë “Sundance”, janë një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën.

Ajo për herë të parë pas këtyre çmimeve ka folur në Orën e Pasdites në Klan Kosova, duke deklaruar se ky film ka dhjetë vjet që është duke u punuar.

“Në kohë reale e kam marrë lajmin kur Blerta Basholli e ka fituar çmimin për regjinë më të mirë. Ky ka qenë një lajm shumë i mirë dhe fenomenal. Për ne ishte një gzëim dhe shok që kemi arritur ta marrim atë shpërblim. Ndërsa, të nesërmen e kam kuptuar që i kemi fituar edhe dy çmimet tjera. Më mori pak kohë derisa e absorbova atë lajm, atë gëzim”.

“Këto çmime nuk është se kanë rëndësi personalisht vetëm për neve që jemi pjesë e tij. Ky film ka peshë për kinematografinë tonë, për kulturën dhe për Kosovën si shtet. Me aq sa kam informacione, unë nuk e di sa janë të sigurta, por në këtë festival nuk ka ndodhu asnjëherë t’i fitojë tre çmime ndonjë film i rajonit apo edhe i Evropës. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, jam tepër e lumtur dhe jam krenare që jam pjesë e këtij sukses”.

Gashi ka theksuar se regjisorja e filmit Blerta Basholli nga viti i 2011 është duke punuar dhe e ka shkruar filmin “Zgjoi”.

“Unë pjesë e këtij filmi kam qenë nga viti 2011, prej kur Blerta kishte filluar të punonte për të. Gati një dekadë është kur është filluar të shkruhet dhe punohet për këtë film. Unë 10 vjet kam pritur për të luajtur në rolin e Fahrije Hoti, e cila është një gruar që të mahnit me energjinë e saj dhe forcën stoike të cilën e karakterizon atë grua”.

“Për historinë dhe përjetimet e kësaj grua, unë them se duhet një serial me dhjetë sezona dhe nga 20 episode brenda. Është shumë e vështirë të përmbledhjet krejt ajo çka ka përjetuar kjo zonjë. Fahrija është një heroinë, ajo është simbol i gruar se mençur dhe punëtore dhe ajo nuk dorëzohet para asnjë sfide”.

Aktorja kërkon nga institucionet dhe politikanët në Kosovë që të mos falënderojnë kur ka suksese të tilla në kinematografi, por të punojnë sa më shumë që vendi të vendoset në hartë me gjëra të tilla.

“Mos falënderoni, veproni konkretisht nëse doni me vendos Kosovën në hartë për të mirë. Duhet të rritet buxheti si në kinematografi edhe në Kulturë. Duhet të merren seriozisht me kërkesat e artistëve dhe nevojat që i kanë”, ka thënë Gashi.

Continue Reading

Kulturë

Novela e ndaluar e Tolstoit që nxiti revolucion seksual në Rusi

Published

on

By

Nga fundi i jetës, prind i 13 fëmijëve, shkrimtari pësoi një shndërrim shpirtëror: rishikoi qëndrimin ndaj martesës dhe marrëdhënieve midis burrave dhe grave në përgjithësi.

Në novelën që shkakoit skandal: “Sonata Kreutzer”, Tolstoi propozon të hiqej dorë plotësisht nga dashuria fizike! Libri pati një ndikim jashtëzakonisht të madh tek rinia, në fund të shekullit të 19-të. Disa e konsideruan novelën e Tolstoit: “Sonata Kreutzer”, si punën e tij më të mirë, të tjerët, përkundrazi, i hodhën poshtë pikëpamjet e Tolstoit, ndërsa Teodor Ruzvelt shkoi deri atje, sa e quajti një “zvetënues të moralit seksual”. Përse krijoi një bujë të atillë në publik, kjo novelë e shkurtër? Dhe çfarë përçon në të, Tolstoi?

Vrarë nga xhelozia

Protagonisti, Vasili Pozdnishev, historinë e jetës ia tregon një bashkudhëtari treni. Ai vrau bashkëshorten, kur, teksa kthehet nga një udhëtim në orët e vona, e gjen të shoqen duke luajtur muzikë me një burrë tjetër. Gjykata vendosi që vrasja ishte provokuar nga tradhtia bashkëshortore dhe e liroi, kështu që Pozdnishevi u lejua të shëtiste i lirë. Pas episodit të tmerrshëm, Pozdnishevi pësoi një rilindje shpirtërore, me pretendimin se tashmë e kuptonte gjendjen e ligë të shoqërisë: “Unë nuk e vrava gruan atëherë, por shumë më herët. Ashtu siç po vrasin tani, gjithkush, gjithsecilin…”. Libri nuk e qartëson nëse e shoqja e Pozdnishevit ishte e pabesë, apo jo: Tolstoi është shumë më i shqetësuar për ndjenjat, sesa për veprimet. Në epigrafin e “Sonata Kreutzer”, autori citon nga Ungjilli: “Unë po ju them, se të gjithë që shikojnë një grua me epshin për ta pasur, në zemër ka kryer tradhti bashkëshortore me të”.  “Tolstoi ishte i bindur se fatkeqësia që i ngjau familjes së personazheve të tij buronte nga shthurja seksuale paramartesore, që i mësoi të shpresonin nga jeta familjare, para së gjithash, kënaqësinë e dëshirës trupore. Zhgënjimi e çon Pozdnishevin të urrejë të shoqen dhe të ndihet xheloz i çmendur”, – shkruan Andrei Zorin në librin: “Jeta e Lev Tolstoit. Përvoja e leximit”.

Rrethi vicioz

Duke diskutuar edukimin seksual të djemve dhe vajzave, Pozdnishevi vëren me hidhërim, sesa me ç’moral të korruptuar është shoqëria në modë. 

Në rrethin shoqëror konsiderohej normale, madje e shëndetshme që burrat “të kënaqen në shthurje” para martesës. “Më kujtohet që befas ndjeva një trishtim kaq të thellë, saqë doja të qaja, të qaja për humbjen njëherë e përgjithmonë të pafajësisë sime, të marrëdhënieve me gratë. Po, marrëdhëniet e mia me gratë ishin mbyllur njëherë e mirë”. Vlen të përmendet se ky episod është autobiografik: Tolstoi kishte përvojë shumë të ngjashme, duke e përshkruar edhe në ditarët.

Në të njëjtën kohë, gratë privoheshin nga “e drejta” për të pasur marrëdhënie seksuale para martesës. Sidoqoftë, sipas Pozdnishevit,  gratë e sapomartuara nuk janë më të mira se prostitutat. Qëllimi i vetëm i hobeve të tyre, qoftë shthurje apo muzikë, ishte të bënte përshtypje tek burri i ardhshëm. Sa u përket veshjeve të grave, Pozdnishevi rendit një varg të gjatë, duke thënë se miliona njerëz punojnë në fabrika vetëm për të kënaqur tekat e grave, duke krijuar veshje që mund të tërheqin hëpërhë një anëtar të seksit të kundërt. Madje, ai e konsideron të tmerrshëm faktin që gratë ua marrin mendjen burrave me sensualitetin e tyre. “Sapo ajo e posedon me mënyrat e saj, fillon të abuzojë dhe fiton një epërsi të tmerrshme”.

Tolstoi i zhgënjyer nga institucioni i martesës

Për mendimet e guximshme në lidhje me martesën dhe për zhvlerësimin e vlerave të familjes, “Sonata Kreutzer” u censurua menjëherë pas botimit. Për më tepër, në SHBA, po ashtu u ndalua shtypi i gazetave që botuan novelën e përkthyer. Sidoqoftë, ishte grishja e frutit të ndaluar që e bëri librin tepër të popullarizuar. Tashmë Tolstoi ishte bërë i famshëm ndërkombëtar, por me “Sonata Kreutzer”, ai bëri për vete imagjinatën e gjithë shoqërisë së arsimuar dhe veçanërisht të rinjve. Novela kalonte nga një person tek tjetri në fshehtësi, në kopje të shkruara me dorë. Pozdnishevi përshkruan sesi ra në dashuri me gruan e tij të ardhshme, mirëpo shumë shpejt atë e pa vetëm si një bashkim në një udhëtim të këndshëm me varkë dhe për fustanin tërheqës që kishte veshur. Pas martesës, pason një muaj “i poshtër” mjalti, që nuk qe tjetër veçse vesi i ligjëruar. Më pas, burri nuk ia ka idenë se ç’person është bashkëshortja dhe habitet kur sheh zemërim, apo cilësi të tjera tek ajo. Pasojnë grindje dhe keqkuptime, ndaj e vetmja gjë që mund t’i pajtojë është lindja e fëmijës. Pikërisht në lindjen dhe rritjen e fëmijëve e sheh Pozdnishevi (njëlloj si Tolstoi), qëllimin e gruas. Kur mëson se pas lindjes së fëmijës së pestë, mjekët e këshillojnë gruan të mos bëjë më fëmijë, Pozdnishev e sheh këtë si shkelje të ligjit të natyrës. Për më tepër, sipas Tolstoit, një grua që nuk mund të krijojë, por vijon të bëjë seks me burrin, madje përdor kontraceptivë, është krejtësisht e pamoralshme. Këtë çështje shkrimtari e kishte për zemër, pasi edhe gruaja e tij u këshillua të mos lindte më, mirëpo ai kundërshtoi që ajo të merrte “masa” për të shmangur shtatzëninë. […] Pozdnishevi mendon, se mënyra më e mirë është abstenimi i seksit, mirëpo bashkudhëtari dhe dëgjuesi i historisë së jetës e pyet: Po atëherë, si do t’i vejë filli racës njerëzore? Unë pajtohem me budistët, se jeta njerëzore nuk ka qëllim dhe se gjithsesi një ditë do të mbarojë, njëlloj si raca njerëzore, si rrjedhojë nuk shoh ndonjë dëm nëse mbaron kur të gjithëve do t’u duhet të jetojnë moralisht. “Tolstoi padyshim që e hodhi poshtë kuptimin pozitiv të vetë martesës, duke e konsideruar si bashkimi i një burri dhe një gruaje shenjtëruar nga tradita e krishterë”, – shkruan studiuesi i Tolstoit, Pavel Basinsky.

Interpretimi i grave të emancipuara

Në vitet 1890, “Sonata Kreutzer” u bë objekt diskutimi. Basinsky, shkruan: “Ishte një nga çmenduritë kryesore të dekadës”. Fundi i shekullit të 19-të ishte epoka e përparimit galopant të emancipimit të grave, kësisoj nuk është për t’u habitur që lexuesit femra panë një tjetër problem etik në histori: përse një femër duhet të mbetet e virgjër para martesës, ndërsa një burrë ka të drejtë të fitojë përvojë paraprake seksuale, madje inkurajohet nga vetë shoqëria për ta bërë këtë?

Pasi doli novela e Tolstoit, çështja e moralit seksual filloi të diskutohej edhe në shtyp. Yelizaveta Dyakonova, një nga feministet e para ruse, shkroi në revista, duke shprehur indinjatën, se çdo burrë “do ta konsideronte turp për veten” të martohej me një grua që kishte marrëdhënie me burra të tjerë para tij, ndërsa ai vetë e konsideron normale të ketë përvoja seksuale para martese. “Dhe është kudo njëlloj, kudo! Si në Rusi, ashtu edhe jashtë Rusisë! O Zot, Zot i Madh!” – shkruante Dyakonova.

Nëse novela e Tolstoit e nxiti Dyakonovan, të kërkonte që burrat të ruajnë pafajësinë para martesës njëlloj si gratë, kjo i nxiti gratë e tjera të kuptojnë padrejtësinë e situatës së tyre dhe të kërkojnë lirinë. /konica

Continue Reading

Trending