Agjencia e Akredimit përjashtohet nga EQAR shkaku i kryeministrit Haradinaj

Periskopi.com Lajme

European Quality Assurance Register for Higher Education [EQAR] ka vendosur ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim [AKA] për shkak të standardit të pavarësisë institucionale. E gjithë kjo vjen si rrjedhojë e një vendimi deri më tash të paarsyetuar nga kryeministri Ramush Haradinaj për shkarkimin e bordit të AKA-së, më 2 tetor të vitit 2017.

Siç njofton Komiteti i EQAR, ata më 6 tetor e kanë kontaktuar ministrin e Sh.A.T. për të marrë informacione shtesë në lidhje me vendimin e marrë. Vetë ministri Bytyqi kishte shpjeguar se vendimi për shkarkimin e bordit të AKA-së ishte bërë bazuar në kërkesën nga kryeministri Haradinaj.

Ministri më tej nuk kishte mundur të shpjegonte as sesi ishin zgjedhur anëtarët e rinj të bordit në fjalë – përcjell Periskopi.

Standardi të cilin e ka thyer Ramush Haradinaj thotë kështu: “Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe për rezultatet e këtyre operacioneve pa ndërhyrjen e palëve të treta.”

Për një gjë të tillë ka reaguar edhe ish kryetari i bordit të AKA-së, z.Blerim Rexha i cili ka shprehur keqardhjen e tij për atë që ndodhi sot. Këtë e ka ilustruar përmes një fotografie ku shihet një karton i kuq, i dhënë nga një gjyqtar futbolli.

Ndërkohë ka reaguar edhe ORCA [Organizata për rritjen e cilësisë në arsim] e cila reagimin e saj e ka titulluar “Kryeministri të japë llogari”.

Shpërndaje në: